E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump rikthen luftën tregtare: në shënjestër industria automobilistike evropiane

UASHINGTON, 3 maj /ATSH-ANSA/ – Kërcënimi i ri i presidentit amerikan Donald Trump ndaj Evropës nuk lidhet vetëm me tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s.

Gjatë ditës së sotme, presidenti amerikan u rikthye në një nga fushat e tij të preferuara të përplasjes: tarifat tregtare.

Skema ishte e njëjta: një mesazh i shkurtër në rrjetet sociale, i papritur dhe pa hapësirë për dialog.

Sipas Trump, arsyeja e tarifave të reja është se BE-ja nuk respekton marrëveshjen e Turnberry.

Megjithatë, përshtypja është se kjo është vetëm një fasadë.

Goditja e re e manjatit amerikan hyn në një kontekst të gjerë tensionesh mes dy brigjeve të Atlantikut, të përkeqësuara ndjeshëm nga qëndrimet evropiane ndaj luftës amerikane në Iran.

Goditja e re tarifore e Trump synon një sektor që tashmë është nën presion të fortë:  industrinë automobilistike evropiane.

Rreziku i pasojave të mëdha ekonomike, edhe për Italinë, është shumë i lartë.

Mjafton të mendosh se në vitin 2025 Italia eksportoi drejt SHBA-së mjete transporti me vlerë 9.3 miliardë euro, nga të cilat 2.9 miliardë euro ishin vetëm automjete.

Kësaj i shtohet fakti se sektori i transportit rrugor është tashmë i goditur nga rritja e çmimeve të karburantit.

Pas lëvizjes së Trump, si zakonisht, pati disa orë heshtje nga pala evropiane.

Por më pas, Brukseli reagoi më ashpër se në të kaluarën.

“BE-ja po zbaton angazhimet e marra në deklaratën e përbashkët sipas praktikave standarde legjislative, duke mbajtur vazhdimisht të informuar administratën amerikane.

Nëse SHBA ndërmarrin masa që nuk përputhen me deklaratën e përbashkët, ne do të ruajmë të gjitha mundësitë për të vepruar për të mbrojtur interesat e BE-së”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Kërcënimi i ri i Trump për të vendosur tarifa mbi makinat dhe kamionët është i papranueshëm.

BE-ja respekton marrëveshjet dhe vepron në mënyrë demokratike, jo me dekret.

Tani duhet të reagojmë me vendosmëri për të mbrojtur tregtinë dhe vendet e punës”, theksoi presidenti i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›