SHBA – Trump vendos një tarifë vjetore prej 100,000 dollarësh për aplikimet për viza H-1B

UASHINGTON, 20 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vendosi dje një tarifë vjetore prej 100,000 dollarësh për një kategori vizash pune – të përdorura gjerësisht nga kompanitë amerikane të teknologjisë, duke i dhënë një goditje këtij sektori.
Vizat H-1B janë hartuar për t’u lejuar kompanive amerikane të sjellin punonjës të huaj të kualifikuar në SHBA, shumë prej të cilëve vijnë nga India.
Ky vendim vjen pas kritikave nga disa aleatë të Trump se kategoria e vizave po keqpërdoret dhe po u merr vendet e punës qytetarëve dhe banorëve të përhershëm amerikanë.
Në muajt e fundit, drejtuesit e lartë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë kërkuan të forconin lidhjet me administratën Trump, duke e vlerësuar publikisht presidentin në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë.
Trump tha se besonte se kompanitë e teknologjisë do të ishin “shumë të kënaqura” me rregulloren e re.
Më herët, vizat e punës kishin vetëm një tarifë prej disa mijëra dollarësh.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick tha se tarifa prej 100,000 dollarësh do të vendosej çdo vit.
Ai argumentoi se masa do t’i dekurajonte kompanitë amerikane të sillnin punonjës të huaj pa përvojë, të cilët më pas do të kërkonin trajnim.
“Kompanitë, tani do të duhet të shqyrtojnë nëse ia vlen tarifa e lartë për të punësuar një kandidat të huaj, përveç pagës së tij, apo nëse duhet të punësojnë shtetas amerikanë në vend të tyre”, tha Lutnick.
Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër që prezanton “Kartën e Artë”, duke u lejuar shtetasve të huaj të vendosen në SHBA për 1 milion dollarë.
Një poster i shfaqur pranë presidentit tregonte një kartë të artë me imazhin e Trump me Statujën e Lirisë në sfond.
Një “Kartë Platini” e planifikuar do t’u lejonte mbajtësve të saj të banonin në SHBA deri në 270 ditë në vit – gjatë pesë viteve për 5 milion dollarë, pa paguar taksat e SHBA-së për të ardhurat e fituara jashtë vendit. //a.i/