E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Zyrtarët amerikanë dhe ministri i Jashtëm danez do të diskutojnë sot për Groenlandën

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen do të takohet sot me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Uashington, për të diskutuar pretendimet e SHBA-së për Groenlandën.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, pritet gjithashtu të marrë pjesë në takim.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka lënë të kuptohet se Vance mori një vendim të minutës së fundit për të marrë pjesë.

“Takimi në fakt, ishte rënë dakord në nivel ministrash të Jashtëm”, tha Frederiksen në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen dje në Kopenhagë.

Si Frederiksen ashtu edhe Nielsen theksuan se Groenlanda nuk ishte në shitje dhe nuk mund të aneksohej nga SHBA-të.

Kryeministrja daneze tha se nuk kishte qenë e lehtë të përballohej presioni krejtësisht i papranueshëm nga aleatët më të ngushtë dhe paralajmëroi se pjesa më e vështirë nuk kishte mbaruar ende.

Në bisedime, Danimarka kërkon t’i ofrojë SHBA-së bashkëpunim më të ngushtë për mbrojtjen e Arktikut brenda kornizës së NATO-s dhe me aleatët evropianë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›