“SHBA 2026”- Mbi 200 mijë kërkesa për bileta për sfidën Shqipëri-Serbi

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, futbollistët kuqezi janë grumbulluar në Tiranë për sfidën e 7 qershorit.
Kristian Asllani ka qenë lojtari i fundit i mbërritur në këtë grumbullim për shkak të ndeshjes finale të Champions League ku ai ndodhej me Interin, ndërkohë pjesa tjetër e lojtarëve janë stërvitur për pak ditë në Durrës gjatë javës së shkuar dhe nga dje u rikthyen në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë për të përgatitur ndeshjen e 7 qershorit kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” në Tiranë
Në konferencën e parë për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje, mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili ka qenë një prej protagonistëve të sfidës së Beogradit, të 14 tetor 2014-të dha mesazhin se kjo është një ndeshje futbolli dhe duhet dhënë maksimumi në fushë.
Ndërsa Qazim Laçi tashmë është një lojtarë i konsoliduar i formacionit të Sylvinjos falë funksionit ekuilibrues në mesfushë që ka patur, përballja me Serbinë për të është për herë të parë.
Seanca e parë stërvitore u mbajt me dyer të mbyllura, teksa pati vetëm pak minuta hapësirë për mediat në pjesën e nxehjes së lojtarëve.
Ndeshja kundër ekipit serb do jetë e treta për kuq e zinjtë pas përballjeve me Anglinë dhe Andorrën.
Në dy ndeshjet e para Kombëtarja ka grumbulluar 3 pikë pasi humbi me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë në “Wembley” kundër Anglisë së Tuchel, por siguroi një fitore të rëndësishme ndaj Andorrës në shtëpi.
Ndërkohë rivalët serb luajnë ndeshjen e tyre të parë duke çelur kështu fushatën e tyre për të siguruar kualifikimin për në ‘SHBA 2026’.
Sfida ndaj Serbisë është ndeshja më e rëndësishme ndaj kundërshtarit direkt të Shqipërisë për vendin e dytë në grupin kualifikues për Botërorin 2026.
Teksa kërkesa për bileta ka arritur mbi 200.000, Federata ka aplikuar një proces të shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta.
Kjo ka sjellë edhe reagimin e grupimit “Tifozët Kuq e Zi”, të cilët janë shprehur në një reagim se “për herë të parë që nga themelimi, 21 vite më parë nuk do të jenë në stadium për të përkrahur Kombëtaren.
/a.f/