E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Europa rrezikon “asgjësimin”! Dokumenti i Trump zemëron anëtarët e BE-së

Administrata e Donald Trump ka publikuar dokumentin e saj të politikës së jashtme ndaj Evropës, duke paralajmëruar se kontinenti përballet me “mundësinë e asgjësimit kulturor”.

Në dokument thuhet se Uashingtoni do të mbështesë partitë “patriotike” që luftojnë kundër emigracionit dhe në favor të nacionalizmit.

Dokumenti i ri prej 33 faqesh i strategjisë së sigurisë kombëtare përshkruan një Evropë të dobësuar nga politikat e emigracionit dhe sugjeron që “qëllimi i Amerikës duhet të jetë të ndihmojë Evropën të korrigjojë kursin e saj në dekadat e ardhshme”.

Administrata Trump flet për “kultivimin e rezistencës” në favor të partive të tilla si “Reform UK” në Britani dhe “AfD” në Gjermani, një parti që është etiketuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.

Dokumenti e pranon se qeveritë europiane janë të mbërthyera nga pritshmëri joreale për luftën dhe se rruga e tyre politike është bërë pengesë për qetësimin e kontinentit.

 Reagimet evropiane ishin të ashpra. Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se Berlini “nuk ka nevojë për këshilla nga asnjë vend apo parti”, duke nënvizuar se çështje të tilla si liria e shprehjes dhe organizimi i shoqërisë “nuk janë objekt diskutimi” midis aleatëve.

Eurodeputeti italian Brando Benifei foli për një “sulm frontal ndaj BE-së”, duke e përshkruar tekstin si “krejtësisht të papranueshëm” dhe plot me “fraza ekstreme dhe tronditëse”.

Ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së thekson se SHBA-të vijojnë të mbeten një aleat i palëkundur i unionit.

“SHBA-të janë ende aleati ynë më i madh. Nuk kemi qenë gjithmonë dakord për tema të ndryshme. Por parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha ajo.

Dokumenti i Trump e bën të qartë se interesi amerikan është stabiliteti. Por e bën po aq të qartë se mënyra se si arrihet ky stabilitet ka ndryshuar. Se mjetet janë më të ashpra. Se kompromiset janë më të detyruara. Se diplomacia është më e drejtpërdrejtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›