“SHBA do marrë Gazën”, Trump: Palestinezët të mos kthehen, do hapim mijëra vende pune

Gjatë një konference me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri një propozim, sipas të cilit, palestinezët e zhvendosur do të largoheshin nga Rripi i Gazës, duke i hapur rrugën SHBA-së për të marrë në pronësi këtë territor bregdetar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht në një vend ku kombësi të ndryshme mund të jetojnë në paqe.
“SHBA do të marrë Rripin e Gazës dhe ne gjithashtu do të bëjmë një punë të mirë atje. Ne do të marrim përgjegjësinë në atë zonë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera atje. “Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë, do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra vende pune dhe do të jetë diçka me të cilën mbarë Lindja e Mesme mund të jetë krenare”, tha Trump.
Presidenti nuk dha menjëherë detaje mbi vendet ku palestinezët do të zhvendoseshin, por tha se do të mbështeste vendosjen e tyre në mënyrë të përhershme në shtete të tjera.
“Thjesht nuk mund të ktheheni. Nëse ktheheni, do të përfundojë në të njëjtën mënyrë si për 100 vjet. Unë shpresoj se ky armëpushim mund të jetë fillimi i një paqeje më të madhe dhe më të qëndrueshme që do t’i japë fund gjakderdhjes dhe vrasjeve njëherë e përgjithmonë”, tha Trump.
Nga ana tjetër kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e vuri theksin tek marrëdhëniet e mira presidentin e SHBA-ve.
“Kjo është një dëshmi e miqësisë dhe mbështetjes suaj për shtetin hebre dhe popullin hebre. E kam thënë këtë më parë, dhe do ta them përsëri: Ju jeni miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë . Kjo është arsyeja pse populli i Izraelit ka një respekt kaq të madh për ju. Në Gaza, Izraeli ka tre synime: Të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, të sigurojë lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe të sigurojë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, tha Netanyahu.
Netanyahu theksoi se gatishmëria e kreut të Shtëpisë së Bardhë do e ndihmoë për të arritur qëllimet e TelAvivit.
“Ju ecni përpara, shihni gjëra që të tjerët refuzojnë t’i shohin, thoni gjëra që të tjerët refuzojnë t’i thonë, dhe pasi nofullat bien, njerëzit gërvishtin kokën dhe thonë: “E dini, ai ka të drejtë.” Ky është lloji i të menduarit që na mundësoi të sformësojmë Lindjen e Mesme dhe të sjellim paqen”, tha Netanyahu.
Pas deklaratave të dy liderëve, mbështetësit e Palestinës u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar./vizionplus.tv