“SHBA ndërhyn kudo për të ruajtur statusin si superfuqi”/ Kalemaj: Është betejë për influencë globale

Në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, politologu Ilir Kalemaj komentoi mbi politikën e re amerikane të presidentit Donald Trump, duke e cilësuar si një qasje të hapur dhe të drejtpërdrejtë për ruajtjen e statusit të Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale.
Kalemaj u shpreh se “ShBA do duhet të ndërhyjë në çdo pikë të globit për të ruajtur statusin e saj si superfuqi, sepse nuk mund të ketë hapësirë bosh. Kjo e justifikon ndërhyrjet jo vetëm në Venezuelë por edhe në Groenlandë apo në Iran”.
Duke sjellë në kujtesë rastin e Irakut, ai theksoi se shpesh arsyet e ndërhyrjeve nuk janë aq të thjeshta sa paraqiten nga liderët politikë.
“Edhe Xhorxh W. Bush tha se do të shpëtonte popullin iraken, por ndërkohë u justifikua me armët e shkatërrimit në masë që nuk u gjetën askund. E njëjta debat bëhet sot, si me Ukrainën dhe me Iranin,” tha Kalemaj.
Sipas tij, ndërhyrja në Venezuelë nuk lidhet vetëm me demokracinë apo të drejtat e njeriut, por edhe me bllokimin e fuqive rivale si Rusia, Kina apo Irani. “
Në thelb duket sikur ShBA po i shterr burimet Iranit apo edhe vendeve të tjera,” u shpreh ai.
Kalemaj komentoi edhe mbi tarifat e reja të shpallura nga presidenti Trump ndaj vendeve që furnizojnë Iranin.
Ai theksoi se kjo masë prek më shumë Iranin sesa Kinën, pasi “90% e naftës së Iranit eksportohet në Kinë, ndërkohë që Kina vetë importon vetëm 0,2% të totalit të saj nga Irani”.
Megjithatë, sipas tij, India është vendi që dëmtohet më tepër, pasi tashmë ka një tarifë prej 50% dhe me shtimin e 25% të reja, barra rritet ndjeshëm.
Gjithashtu Kalemaj vlerësoi mënyrën e hapur të Trump për të shprehur interesat amerikane, që sikurse u shpreh ai, “Për herë të parë duhet falënderuar që presidenti Trump nuk fshihet pas fjalëve të bukura si demokracia apo të drejtat e njeriut, por në mënyrë flagrante tregon se kjo është një luftë për territore, për influencë dhe për burime”.
/rtsh.al/