E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA paralajmëron Bosnjën për gazin rus, DASH kërkon shkëputje nga Moska dhe mbështet gazsjellësin e ri me Kroacinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një paralajmërim të fortë se do të monitorojnë me kujdes të gjithë ata zyrtarë në Bosnje që bllokojnë sigurinë energjetike për përfitime politike. Ky reagim i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen fill pas takimeve të fundit që lideri serb Millorad Dodik dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska zhvilluan në Shën Petersburg me gjigantin rus Gazprom.

Uashingtoni zyrtar kujton se Bashkimi Evropian po e heq gradualisht gazin rus dhe Bosnja nuk ka më kohë për të humbur. Ndërkohë, autoritetet serbe në Bosnje po bëjnë gati projektin 500 milionë eurosh të gazsjellësit Lindor që i lidh ata direkt me rrjetin e Serbisë, ku furnizimi mbetet ekskluzivisht rus.

Nga ana tjetër, ministri i Energjetikës në Republikën Sërpska, Petar Gjokiq, konfirmon se ky entitet mbetet një partner kyç i Gazpromit për infrastrukturën e gazit në rajon. Aktualisht, i gjithë vendi është plotësisht i varur nga gazi rus që vjen përmes Rrjedhës Turke. Për të thyer këtë monopol, Federata e Bosnjës po planifikon Ndërlidhjen Jugore, një projekt ky ku janë përfshirë edhe investitorë amerikanë.

Përmes këtij gazsjellësi të ri, gazi do të vijë direkt nga terminali i Kroacisë, duke sjellë burime të reja për konsumatorët. DASH thekson se eksporti i energjisë amerikane është shtylla qendrore e bashkëpunimit me Evropën dhe se kompanitë e tyre janë gati të ofrojnë mbështetje të plotë. Me një konsum vjetor prej 250 milionë metrash kub gaz, Bosnja po përballet tashmë me një sfidë të madhe gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›