SHBA paralajmëron Zelenskyn, i kërkon të mos tërhiqet nga “mineralet”. Trump kërcënon edhe Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar homologun e tij ukrainas se nëse do të tërhiqet nga marrëveshja e mineraleve, do të përballet me probleme të mëdha.
“Ai po përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja. Nëse ai e bën këtë, do të ketë disa probleme. Probleme të mëdha, shumë të mëdha. Ne bëmë një marrëveshje për tokat e rralla. Dhe tani ai po thotë, ‘epo ju e dini, unë dua të rinegocioj marrëveshjen’”, tha Donald Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri një koment edhe për ambicien e Ukrainës për t’u bërë pjesë e aleancës veriatlantike.
“Ai dëshiron të jetë anëtar i NATO-s, por ai kurrë nuk do të jetë anëtar i NATO-s. Ai e kupton këtë”, tha Trump.
Trump kërcënoi gjithashtu regjimin e Teheranit.
“Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë e keqe. Unë do të preferoja një marrëveshje në vend të alternativës tjetër, që mendoj se të gjithë në këtë aeroplan e dinë se çfarë është. Ajo nuk do të ishte një gjë e bukur”, tha Presidenti Trump.
Më herët, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin bërthamor, gjë që ishte propozuar në një letër që Trump i kishte dërguar Teheranit në fillim të këtij muaji./vizionplus.tv