E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA po punon për një takim Putin-Zelensky

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se Uashingtoni po punon për të organizuar një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Komentet ai i bëri gjatë një interviste për “Fox News”, duke theksuar se SHBA është në proces të përcaktimit të kohës dhe vendit ku dy udhëheqësit mund të diskutojnë për përfundimin e konfliktit.

Vance shtoi se, sipas tij, nuk është e dobishme që një takim i tillë të zhvillohet përpara samitit të Alaskës. Ndërkohë, raportohet se Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë që Zelensky të marrë pjesë në një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, që mund të mbahet në Alaska.

I pyetur për një ftesë zyrtare ndaj presidentit ukrainas, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti amerikan mbetet i hapur për një samit trepalësh me të dy liderët. Aktualisht, sipas tij, fokusi është tek planifikimi i takimit dypalësh të kërkuar nga presidenti Putin.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›