E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA shqyrtojnë ‘sulme precize’ ndaj zyrtarëve iranianë, ndërsa shtohet numri i trupave ushtarake

Administrata amerikane po shqyrton mundësinë e sulmeve me precizion ndaj zyrtarëve dhe komandantëve iranianë “me vlerë të lartë”, të cilët i konsideron përgjegjës për vdekjen e protestuesve.

Diskutimet brenda administratës janë përshkruar si “kaotike”, me debate mbi pasojat e mundshme të hakmarrjes iraniane.

Presidenti Donald Trump ka lëvizur mes përshkallëzimit dhe deeskalimit, duke sinjalizuar se nuk ka hequr dorë nga ideja e ndryshimit të regjimit në Teheran.

Ndërkohë, SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, avionë luftarakë F-35, F/A-18 dhe një skuadrilje F-15 në Jordani.

Shtetet e Gjirit si Arabia Saudite, Katari, Omani dhe Turqia janë shprehur kundër një sulmi amerikan ndaj Iranit, ndërsa raportime izraelite sugjerojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania mund ta mbështesin.

Megjithatë, Abu Dhabi ka deklaruar publikisht se nuk do të lejojë përdorimin e hapësirës ajrore apo ujërave të tij për veprime ushtarake kundër Iranit.

Irani ka paralajmëruar se çdo përdorim i bazave amerikane në vendet arabe për sulme ndaj tij do të sillte kundërpërgjigje.

Ekspertët paralajmërojnë se një sulm i ri amerikan mund të shihet nga Teherani si kërcënim ekzistencial, duke rritur rrezikun e goditjes së bazave amerikane në rajon ose mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e naftës globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›