E Diel, 1 Nëntor 2026

SINTEZË – Lindja e Mesme në krizë pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit

TEL AVIV/TEHERAN, 28 shkurt /ATSH-ANSA/ – Forcat e Izraelit ndërmorën në orët e para të mëngjesit një sulm të shpallur si “parandalues” kundër objektivave në Iran, ndërsa sipas medias amerikane në operacion janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara duke shënuar një përshkallëzim të paprecedentë të tensioneve në Lindjen e Mesme.

  • Sipas njoftimeve, shpërthime të shumta janë dëgjuar në Teheran dhe në zona të tjera të Iranit perëndimor.
  • Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur qindra objektiva, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore iraniane.
  • Hapësira ajrore izraelite u mbyll përkohësisht, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan në Jerusalem dhe Tel Aviv.
  • Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është nisur një operacion për “mbrojtjen e amerikanëve nga kërcënimet” dhe paralajmëroi se do të shkatërrohen kapacitetet raketore iraniane.
  • Nga ana tjetër, Teherani konfirmoi lëshimin e raketave drejt Izraelit.
  • Autoritetet izraelite njoftuan se mjetet ajrore iraniane janë interceptuar dhe se nuk ka goditje direkte në territor.
  • Garda Revolucionare iraniane shpalli nisjen e operacionit “Truth Promise 4” kundër bazave amerikane në rajon.
  • Raportohet për sulme me raketa ndaj bazës së Flotës së Pestë amerikane në Bahrein, si dhe shpërthime në Abu Dabi dhe Doha.
  • Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan për një viktimë, ndërsa në Dubai katër persona u plagosën nga një shpërthim në zonën e Palm Jumeirah.
  • Arabia Saudite bëri të ditur se Riadi është goditur dhe se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.
  • Në Iran, autoritetet raportuan për dhjetëra viktima pas një sulmi ndaj një shkolle në jug të vendit, me bilancin e të vdekurve që sipas burimeve iraniane ka arritur në 85.
  • Situata politike mbetet e tensionuar.
  • Media izraelite raportuan se udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë, por informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht.
  • Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi deklaroi se “për aq sa dihet, Khamenei është gjallë”.
  • Teherani u bëri thirrje banorëve të largohen nga kryeqyteti.
  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së është thirrur në një mbledhje urgjente, ndërsa Britania e Madhe konfirmoi përfshirjen e avionëve të saj ushtarakë në mbrojtje të aleatëve në Gji.
  • Rusia e cilësoi situatën si “agresion të pajustifikuar kundër Iranit”.
  • Zhvillimet kanë shkaktuar alarm të lartë në të gjithë rajonin e Gjirit, me Shtetet e Bashkuara që u kanë bërë thirrje anijeve tregtare të shmangin zonat e rrezikut.
  • Tregjet ndërkombëtare të energjisë reaguan me luhatje të forta, për shkak të frikës për ndërprerje të furnizimit me naftë.
  • Analistët paralajmërojnë se çdo përfshirje e mëtejshme e aktorëve rajonalë mund ta shndërrojë krizën në një konflikt të hapur shumëpalësh. Ndërkohë, disa vende perëndimore po shqyrtojnë evakuimin e shtetasve të tyre nga zonat më të ekspozuara.
  • Komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe rikthim në rrugën diplomatike, për të shmangur një destabilizim më të gjerë të Lindjes së Mesme.
  • Dy stacione televizive izraelite raportuan sot në mbrëmje se udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei u vra në sulmin izraelito-amerikan të nisur sot në mëngjes ndaj Iranit. “Burim izraelit: Khamenei është vrarë”, thuhet në një flash në Kanalin 12. “Burim izraelit: Ali Khamenei është eliminuar”, thuhet në raportin e transmetuesit publik KAN./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›