E Diel, 1 Nëntor 2026

SIRI – Rriten tensionet midis kurdëve dhe Damaskut për marrëveshjen e integrimit

DAMASKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/-  Qeveria e Sirisë shprehu sot shqetësim për vonesën e integrimit të kurdëve në verilindje të vendit në sistemin shtetëror, duke thënë se bisedimet me udhëheqjen atje nuk kishin dhënë asnjë rezultat të prekshëm.

“Pala kurde nuk po tregon asnjë gatishmëri të vërtetë për të zbatuar marrëveshjen e arritur në mars deri në fund të vitit siç është planifikuar”, thanë burime në Ministrinë e Jashtme për agjencinë shtetërore të lajmeve SANA.

Sipas Damaskut, mungesa e hapave konkretë mund të çojë në rritje të tensioneve në ditët në vijim.

“Ata duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk përmbushin atë për të cilën janë zotuar”, shkroi një këshilltar i presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa në platformën X.

Megjithatë, Forcat Demokratike Siriane (SDF), krahu ushtarak i vetëadministrimit kurd, kanë përmendur progres në këtë çështje.

Ekziston një marrëveshje se si njësitë ushtarake do të integrohen në strukturat shtetërore, tha dje udhëheqësi i SDF-së, Mazloum Abdi.

“Kjo do të kërkonte ende kohë për të sqaruar çështjet kushtetuese”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, duke cituar burime qeveritare, stacioni televiziv “Al-Araby” raportoi se të dy palët nuk ishin më në kontakt.

Kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri dhe jetojnë kryesisht në një zonë të vetëqeverisur në verilindje, ku ndodhen shumica e rezervave të naftës dhe gazit të vendit.

Konflikti i tyre me qeverinë në Damask ka të bëjë kryesisht me autonominë dhe të drejtat që do t’u jepen, duke përfshirë edhe përdorimin e burimeve natyrore. Damasku po përpiqet për krijimin e një qeverie qendrore që përfshin edhe verilindjen.

Sipas qeverisë, marrëveshja duhet të zbatohet deri në mesnatën e së mërkurës.

Nga ana tjetër, vetëqeverisja kurde dëshiron më shumë fleksibilitet. Abdi tha se nuk kishte një afat kohor të caktuar dhe asnjë afat pas të cilit “zgjidhje ushtarake” do të bëheshin të mundura.

Turqia, një mbështetëse kryesore e qeverisë në Damask, po rrit gjithashtu presionin mbi fqinjin e saj për të zbatuar marrëveshjen.

“Ne nuk jemi të kënaqur me ritmin e procesit”, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan. “SDF duhet të kuptojë se durimi i aktorëve kryesorë po mbaron”, shtoi ai.

Në ditët e fundit, përleshjet midis trupave qeveritare dhe SDF-së në zonën e Alepos kanë rezultuar në vdekje dhe plagosje.

Sipas raportimeve të mediave kurde, furnizimi me energji elektrike dhe ujë është ndërprerë dhe furnizimi me karburant është ndaluar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›