E Hënë, 2 Nëntor 2026

SKOCI – Trump: Evropa të marrë masa për emigracionin përpara bisedimeve tregtare SHBA-BE

LONDËR, 26 korrik /ATSH/- Negociatat intensive kanë vazhduar sot midis BE-së dhe SHBA-së – përpara një takimi të rëndësishëm në Skoci midis Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – për të shmangur një luftë tregtare të kushtueshme, sipas “Guardian”.

Trump kaloi natën në resortin e tij të golfit “Turnberry”, në pronësi të familjes, në një vizitë private, por gjeti kohë për të kritikuar udhëheqësit evropianë për turbinat me erë dhe emigracionin, duke pretenduar se nuk do të ketë një Evropë nëse ata “nuk marrin masa”.

“Unë i them dy gjëra Evropës. Ndaloni mullinjtë e erës. Po i shkatërroni vendet tuaja. E them me të vërtetë, është shumë e trishtueshme. Këto mullinj me erë janë kudo, duke shkatërruar fushat dhe luginat tuaja të bukura dhe duke vrarë zogjtë tuaj”, tha ai.

“Për emigracionin, më mirë merrni masa. Nuk do ta keni më Evropën”, tha Trump.

Sot në mëngjes, ai braktisi një takim të planifikuar me shtypin, i cili udhëtoi me të në “Air Force One”, për një raund golfi në fushën e tij bregdetare – nën tingujt e muzikës.

Sky News, i stacionuar pranë fushës, raportoi se këngët përfshinin “Uptown Girl” të Billy Joel, “Memory” të Elaine Paige dhe “Bridge over Troubled Water” të Simon and Garfunkel.

E cilësuar si një vizitë katërditore familjare në Skoci, Trump pritet të takojë udhëheqësit evropianë dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, duke rritur shpresat për marrëveshje të reja dhe të rafinuara tregtare me BE-në dhe Britaninë e Madhe.

Lidhur me perspektivat e një marrëveshjeje tregtare me BE-në, presidenti amerikan tha se kishte “20 pika ngërçi”.

Kur u pyet se cilat ishin ato, ai tha: “Epo, nuk dua t’ju them se cilat janë pikat e ngërçit”.

Ai e përshkroi Von der Leyen si një “grua shumë të respektuar” dhe tha se takimi i planifikuar nesër me shefen e BE-së do të shkonte ” mirë”, duke vlerësuar shanset 50 me 50 për një marrëveshje.

Von der Leyen do te shoqerohet nga komisioneri evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic.

Marrëveshja pritet të përqendrohet në një pakt të përgjithshëm në parim mbi tarifat prej 15% për eksportet, përfshirë automjetet – por me një tarifë prej 50% që do të vazhdojë ndaj çelikut.

Mund të ketë gjithashtu një marrëveshje të rëndësishme për produktet farmaceutike, duke vendosur një tarifë prej 15% për eksportet.

Edhe pse kjo do të shkelte një marrëveshje të gjatë të Organizatës Botërore të Tregtisë që barnat vlerësohen me një tarifë zero, do të ishte shumë larg tarifës prej 200% që Trump kërcënoi të vendoste për produktet farmaceutike, në fillim të këtij muaji.

Kjo do të kishte shkaktuar një luftë tregtare shumë të dëmshme jo vetëm me Irlandën, ku janë të vendosura shumë kompani shumëkombëshe amerikane, por edhe me Gjermaninë, Danimarkën, Belgjikën, Francën dhe Spanjën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›