E Martë, 3 Nëntor 2026

SKOCI – Trump: Fëmijët e uritur palestinezë duhet të ndihmohen, do të ngremë qendra të shpërndarjes së ushqimit në Gaza

TURNBERRY (Skoci), 28 korrik /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se po sheh shenja të urisë së vërtetë në Gaza.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e përshkroi sot krizën humanitare në Rripin e Gazës si “të tmerrshme” dhe tha se fëmijët palestinezë të uritur duhet të ndihmohen.

“Duhet t’i ushqejmë fëmijët”, tha Trump gjatë një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer në Skoci, duke shtuar se fëmijët në Gaza duken “shumë të uritur”.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se “nuk ka uri” në Gaza.

“E dini, ne duam të ndihmojmë. Është një situatë e tmerrshme. E gjithë kjo është e tmerrshme”, tha Trump, duke shtuar se do ta ngrinte çështjen me Netanyahun kur të flisnin herën tjetër.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë “qendra të shpërndarjes së ushqimit” në Gaza, duke shtuar se kishte shenja të “urisë së vërtetë” në territorin palestinez.

“Ne do të krijojmë qendra të shpërndarjes së ushqimit ku njerëzit mund të hyjnë lirisht – pa kufizime. Nuk do të kemi gardhe”, u tha ai gazetarëve në Skoci, para takimit me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Sipas autoriteteve izraelite, edhe 180 kamionë të tjerë, që transportonin ndihma humanitare, hynë sot në Rripin e Gazës, pasi Izraeli filloi të lejojë më shumë furnizime bazë në këtë territor palestinez të izoluar që nga një ditë më parë.

“Njëqind e tetëdhjetë kamionë të tjerë kanë hyrë në Gaza dhe tani po presin të mblidhen dhe të shpërndahen”, shkroi në platformën X COGAT, autoriteti ushtarak izraelit, përgjegjës për aprovimin dhe koordinimin e ndihmave.

Kjo pason hyrjen e 120 kamionëve në Rripin e Gazës të dielën, sipas COGAT-it, që tha se mjetet “u mblodhën dhe u shpërndanë dje nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›