SOFT NEWS – Shitjet e ”Tesla”-s bien globalisht, por rriten në… Ukrainë!

KIEV, 23 prill /ATSH/ – Ndërsa shitjet globale të ”Tesla”-s kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, marka e automjeteve elektrike ka përjetuar një rritje të shitjeve në Ukrainë.
Konkurrenca e shtuar nga prodhuesit kinezë të makinave elektrike, që kanë kosto më të ulët, ka bërë që çmimet e Tesla-s të jenë më të përballueshme për disa konsumatorë ukrainas.
Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve të Ukrainës, kërkesa për automjete elektrike ishte në rritje në shkurt dhe mars, me ”Tesla”-n që kryesonte në shitjen e makinave të përdorura elektrike.
Në një autosallon në Kiev, Anatoliy Trepak, një blerës i ri i një makine ”Tesla”, tha se ende po mësohet të ngasë makinën e tij të re.
“Është një hap i madh nga një ‘Skoda Superb’, por pikërisht këtë doja”, tha ai.
Trepak, një shofer taksie ukrainas, tha se e kishte blerë ”Tesla”-n e përdorur për vetëm 18 000 dollarë – një rënie dramatike në çmim krahasuar me vitet e kaluara.
“Dy ose tre vjet më parë, asnjë ‘Tesla’ [e përdorur] nuk shitej për më pak se 40 000 dollarë. Tani mund të blesh një makinë të mirë për 20 000 dollarë”, tha Bohdan, një shitës lokal makinash në atë autosallon.
“Pengesa për të hyrë në treg është ulur dhe më shumë njerëz tani mund ta përballojnë”, shtoi ai.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, makinat e kompanisë ”Tesla” janë vandalizuar për shkak të reagimeve ndaj rolit të pronarit të kompanisë, Elon Musk, në politikën amerikane.
Në autosallonin në Kiev, Bohdan qëndronte pranë një muri të mbuluar me foto të makinave ”Tesla”, që ishin shitur aty.
Shitësi i makinave në Kiev tha se disa pronarë tani duan t’i shesin ”Tesla”-t e tyre, por të tjerë nuk duken të gatshëm për ta bërë një hap të tillë. Disa kanë nisur të vendosin letra ngjitëse, me përmbajtje humoristike, në bagazhet e makinave. Në një prej tyre shkruhej “E bleva këtë ‘Tesla’ para se Eloni të çmendej”./ (REL) /os/