E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK godet rrjetin kriminal, pastronte para nga trafiku i drogës përmes skemës “Hawala”

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) goditi një rrjet të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, përmes një skeme informale të transferimit të fondeve të njohur si “Hawala”.

Hetimet, në bashkëpunim me autoritetet zvicerane dhe Policinë e Shtetit, zbuluan se grupi ka transferuar miliona euro nga Zvicra drejt Shqipërisë, pa gjurmë bankare, duke përdorur bashkëpunëtorë në të dy vendet dhe mbuluar aktivitetin përmes zyrave të këmbimit valutor e agjencive turistike.

“Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim”, deklaroi sot SPAK përmes një njoftimi për shtyp.

Sipas SPAK, drejtues i grupit është shtetasi E.F, ndërsa bashkëpunëtorët B.F dhe P.K kanë ndihmuar në shpërndarjen e shumave në territorin shqiptar. Grupi përfitonte 6% të çdo transaksioni dhe njëkohësisht ishte i përfshirë në shpërndarjen e drogës në disa kantone të Zvicrës.

“Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tre të dyshuarit. Dy prej tyre, B.F dhe P.K., janë ndaluar në Shqipëri, ndërsa E.F ndodhet i arrestuar në Zvicër.

Hetimet për persona dhe episode të tjera vijojnë.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›