SPAK hetoi 33 ish-zyrtarë të lartë, raporti 2024: Goditje 16 grupeve kriminale. Presion nga bandat, politika dhe media

Nga Blerina Cene
33 ish- zyrtarë të lartë kanë përfunduar në lupën e SPAK gjatë vitit 2024. Në raportin që Struktura Antikorrupsion i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, ku analizon vetveten, thekson se rritja është e konsiderueshme nëse e vendos përballë me vitin 2023.
“Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish-zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve”, njoftoi SPAK.
Shqetësuese është prezenca me rrezikshmëri të lartë e grupeve kriminale brenda vendit, ku 9 prej tyre janë janë zbuluar nga SKY ECC. Njëkohësisht SPAK vëren se është ulur volumi i dosjeve që kanë përfunduar në gjykatë për shkak të kompleksitetit në hetim.
“Janë identifikuar 16 grupe kriminale, të cilat janë mbështetur ne lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregje ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike”, thuhej në njoftimin e SPAK.
Për të realizuar hetimet Prokuroria Speciale thotë se ka përdorur metoda simuluese, vëzhgim e kontrolle në terren, ndërsa 3096 telefona të të hetuarve kanë rënë pre e përgjimit. Ndërkaq, SPAK tregohet kritik ndaj presioneve të jashtme, ndaj apelon për një reagim të koordinuar të institucioneve, që për përgjegjësi kanë ruajtjen e paprekshmërisë së këtij organizmi.
“Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatikë, i cili cënon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor”, thuhet në njoftim.
Me progres ka qenë edhe vlera e pasurive të ngrira që kapin shifrën e 65.5 milionë eurove, ku 36.8 i kanë kaluar shtetit, ndërsa 28.7 janë nën sekuestro. Problematike sipas organit të posaçëm të akuzës mbetet numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, ku përfshihet edhe policia e shtetit, diçka e adresuar edhe gjatë 2023.
/vizionplus.tv