E Premte, 6 Nëntor 2026

SPAK kërkon Shkëlzen Berishën; djali i ish-kryeministrit dhe 70 të tjerë duhet të dëshmojnë për Gërdecin

Prokuroria e Posaçme i kërkon gjykatës dëshminë e 71 personave për çështjen Gërdeci, ku i pandehur është marrë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Për të provuar dy akuzat e ngritura ndaj tij, atë të shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Penal dhe shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Ushtarak, SPAK kërkon që dëshmitar në proces të jetë edhe ish-ministri i Drejtësisë për kohën, Aldo Bumçi dhe për herë të parë edhe djali i ish kryeminstrit, Shkëlzen Berisha.

Ata duhet të japin shpjegime për një fax të nisur nga ministria e drejtësisë drejt asaj të mbrojtjes, në përmbajtje të të cilit ishte kontrata që do të lidhej për demontimin e armëve në Gërdec, me mbishkrimin për Shkëlzen Berishën.

Më 13 dhjetor të vitit të kaluar, Aldo Bumçi i thirrur nga prokuroria e posaçme ka mohuar kategorikisht që shkrimi i dorës te faksi të jetë i tij dhe për pasojë i ka kërkuar gjykatës që dokumentin ta shpallë të pavlefshëm.

Edhe Shkëlzen Berisha, i thirrur nga organi i posaçëm i akuzës për shpërthimin e Gërdecit, në janar të këtij viti, tha se shkresa që mban emrin e tij të shënuar nuk nënkupton se ka patur korrespondencë me ish ministrin e drejtësisë, Aldo Bumçi.

Po ashtu ai shtoi se 15 vjet më parë, e njëjta prokurori nuk e ka parë të arsyeshme ta thërrasë për të dëshmuar.

Mes 71 dëshmitarëve që prokurorët, Klodian Braho dhe Arben Kraja i kërkuan gjykatës, përfshihen edhe të pandehurit e gjyqit të parë, atij të 2013, ndërsa dëshmitë e 52 personave të tjerë, nëse gjykata i pranon, do të jenë të reja.

Shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëvë në Gërdec i kushtoi jetën 26 personave, familjarët e të cilëve edhe një dekadë e gjysmë më pas, enden dyerve të gjykatës për drejtësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›