SPAK kërkon sekuestrim të pasurive për dy shtetas të akuzuar për mashtrim kompjuterik

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Prokuria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 25 prill 2025 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa.
Përmes një njoftimi për mediet ditën e sotme SPAK njofton se ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për sekuestrim pasurie për dy shtetas. E konkretisht, ndaj shtetasit Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, të cilët janë subjekte të hetimit pasuror nr. 13 i vitit 2023, pas regjistrimit të procedimit penal nr. 300/2021, me akuzat për kryerjen e veprave penale:
“Mashtrim kompjuterik” e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë kryer hetime në kuadër të hetimit pasuror dhe si rezultat janë identifikuar dhe sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Në përfundim të hetimit pasuror nr.13/2023, rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Vlera e pasurive të sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi është rreth 1,937,145 euro dhe 33,089,854 lekë:
Për shtetasin Erjon Kasmi, vlera e pasurive të paluajtshme sipas kontratave është 1,108,920 euro dhe 13,300,000 lekë.
Vlera e pasurive te paluajtshme sipas kontratave për shtetasin, Xhuljan Xhafa është në vlerën 240,000 euro.