SPAK mohon ndikimin në garën për kreun e ri. Sqaron se asnjë anëtar i KLP nuk është në hetim apo përgjim

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga intervistat e 4 kandidatëve që synojnë të marrin drejtimin e Prokurorisë së Posaçme para Këshillit të Lart të Prokurorisë, SPAK ka hequr dyshimet për ndikim në këtë proces.
“Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme. SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore”, thekson SPAK.
Më 11 dhjetor, prokurorët e posaçëm Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodjan Braho do të dalin para KLP-së për të prezantuar platformat dhe për t’iu nënshtruar intervistimit. Kjo është faza e fundit përpara përzgjedhjes së pasuesit të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut.
/rtsh.al/