E Martë, 3 Nëntor 2026

SPAK përfundon hetimet për Metën e Kryemadhin

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Ish-çifti tashmë, Meta dhe Kryemadhi janë hetuar nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”.

Presidenti i Partisë së Lirisë në një reagim në rrjetet sociale tha se “përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani”.

“Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi”, tha Meta, duke shtuar se “nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore”.

Ndërkohë Monika Kryemadhi në një prononcim për mediet para SPAK tha se “më kanë komunikuar të njëjtat akuza”.

Kujtojmë se Ilir Meta u arrestua në tetor të vitit të kaluar dhe ndaj tij GJKKO caktoi masën “arrest me burg”. Për Kryemadhin u caktua masa “detyrim paraqitje”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›