E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK sekuestroi resortin në Jalë, Berisha publikon detaje për blerjen e tokës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilësoi si një skandal të madh që lidhet me pasuritë e sekuestruara në kuadër të hetimeve ndaj grupit kriminal të drejtuar nga Dritan Gjika, Eldi Dizdari dhe Shpëtim Aliu.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se goditja e fundit e SPAK ka çuar në sekuestrimin e një numri të madh asetesh dhe kompanish, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, të cilat sipas tij përdoreshin për pastrimin e parave të trafikut të drogës.

Sipas Berishës, në qendër të skemës së pastrimit të parave qëndronte Isa Aliu, i cili dyshohet se ka investuar në prona dhe projekte turistike në bregdetin e jugut.

Berisha u ndal te një projekt hotelier në zonën e Jalës, për të cilin SPAK ka vendosur sekuestro preventive. Ai tha se kompania “Seaview Development”, e lidhur sipas tij me “Aliu Road House”, kishte aplikuar për ndërtimin e një resorti me pesë yje në Jalë të Himarës.

Sipas kreut demokrat, më shqetësues është fakti se rreth 15 mijë metra katrorë tokë në këtë zonë bregdetare janë blerë për një vlerë totale prej vetëm 54 mijë eurosh.

“Pra, siç e shikoni, afro 15 mijë metra katrorë tokë janë blerë me rreth 3.2 euro metri katror. Një çmim qesharak për një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar”, deklaroi Berisha.

Ai renditi edhe sipërfaqet dhe vlerat e deklaruara të blerjes së tre pasurive, të cilat sipas tij arrijnë në rreth 15 mijë metra katrorë në total, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përfitimit dhe vlerësimit të tyre.

Deklaratat e Berishës vijnë pas operacionit të fundit të SPAK, ku u sekuestruan kompani, prona dhe investime të dyshuara si të krijuara me të ardhura nga aktiviteti kriminal dhe pastrimi i parave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›