SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake

MADRID, 29 janar /ATSH-DPA/ – Një flotilje anijesh të NATO-s po mblidhen sot në portin ushtarak spanjoll të Rotas, në kuadër të manovrave më të mëdha të aleancës transatlantike për këtë vit.
Manovrat, të quajtura “Steadfast Dart 26”, përfshijnë vendosjen e shpejtë të mijëra ushtarëve brenda Evropës, nga jugu dhe perëndimi drejt veriut dhe lindjes.
Manovrat po organizohen nga Gjermania.
Katër anije turke dhe dy spanjolle pritet të nisen nga Rota në ditët e ardhshme dhe pritet të arrijnë në portin gjerman të Kielit më 11 shkurt.
Anije shtesë nga Gjermania, Franca, Holanda dhe Polonia do t’i bashkohen flotiljes ndërsa po praktikohet edhe mbështetja ajrore për të siguruar anijet gjatë rrugës.
Manovrat drejtohen nga gjenerali gjerman Ingo Gerhartz, komandant i “Allied Joint Force Command” në Brunssum, Holandë.
“Sidomos në këto kohë, është shumë e rëndësishme të tregojmë unitetin e aleancës sonë, NATO-s”, tha Gerhartz në Rota.
“Manovrat nuk kanë për qëllim dërgimin e kërcënimeve, por janë një mesazh 360-gradësh për gatishmërinë e lartë të NATO-s”, shtoi ai.
Në total, 11 shtete anëtare po marrin pjesë në “Steadfast Dart 26” me njësitë e ushtrisë, forcave ajrore, marinës dhe hapësirës.
Këto operacione ndodhin pak ditë pas shmangies së një ndarjeje të madhe brenda aleancës mbi të ardhmen e territorit pothuajse autonom të Arktikut, Groenlandës, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës./ /Ad.Ab./