SPORT – Ish-kampioni i Botës, Frank Mill vdes në moshën 67-vjeçare

DUSELDORF, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Frank Mill, i cili ishte pjesë e skuadrës fituese të Kupës së Botës në futboll në vitin 1990 të Gjermanisë Perëndimore – i cili fitoi një medalje bronzi olimpike në vitin 1988, ka vdekur sot në moshën 67-vjeçare.
Gazeta “Bild” tha se Mill nuk kishte arritur të shërohej nga një goditje në tru që e kishte pësuar në muajin maj në Itali.
Sulmuesi Mill e filloi karrierën e tij profesioniste në vitin 1976 në qytetin e tij të lindjes, Essen, në Rot-Weiss. Me pas kaloi pesë vjet te “Borussia Mönchengladbach” në vitet 1981-1986, më pas tetë vjet te “Borussia Dortmund” deri në vitin 1994 përpara se ta përfundonte karrierën e tij me dy sezone te “Fortuna Dusseldorf”.
Mill shënoi 41 gola në divizionin e dytë në sezonin e tij të fundit në Essen dhe 123 gola në 387 ndeshje të Bundesligës.
Ai fitoi Kupën e Gjermanisë me Dortmundin në vitin 1989.
“Frank nuk ishte vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj që Rot-Weiss Essen ka nxjerrë ndonjëherë, ai ishte gjithashtu një person i shkëlqyer, i thjeshtë, autentik dhe plot energji pozitive”, tha anëtari i bordit të Essen, Alexander Rang.
Ai shtoi se Mill “jo vetëm që karakterizoi klubin tonë dhe zonën e Ruhr-it me sjelljen e tij, por ai ishte gjithashtu një ambasador për futbollin në të gjithë Gjermaninë”. /Ad.Ab./