STAMBOLL – Negociata Rusi-SHBA për normalizimin e marrëdhënieve

MOSKË, 9 prill /ATSH-AA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se negociatat me SHBA-në do të zhvillohen nesër në Stamboll.
Në konferencën për media në Moskë, lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, Zakharova tha se në rend dite është çështja e takimit të delegacioneve ruse dhe amerikane.
“Nesër do të mbahet raundi i dytë i konsultimeve me SHBA-në. Vendi, formati dhe pjesëmarrësit e negociatave nuk kanë ndryshuar. Konsultimet do të mbahen në Stamboll”, tha ajo.
Pasi informoi se delegacioni i Rusisë do të kryesohet nga ambasadori rus në Uashington, Alexander Darchiev ndërsa delegacioni amerikan do të kryesohet nga zëvendësndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Rusinë dhe Evropën Qendrore, Sonata Coulter, Zakharova tha se në takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrive të Jashtme nga të dy vendet.
“Takimi do të mbahet për heqjen e pengesave që vështirësojnë aktivitetet diplomatike mes dy vendeve”, theksoi Zakharova.
Më tej u theksua se takimi do të mbahet në Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Stamboll.
Delegacionet ruse dhe amerikane u takuan për herë të parë më 18 shkurt në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, ku diskutuan për çështjet që lidhen me rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
Delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan takimin e tyre të parë në Stamboll më 27 shkurt në rezidencën e Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll për të diskutuar aktivitetet e ambasadës në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi në rajonin e Arnavutkoyt zgjati afërsisht 6,5 orë./ /os/