STOKHOLM – Kitagawa, Robson dhe Yaghi fitojnë Çmimin Nobel në Kimi

STOKHOLM, 8 tetor /ATSH / – Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar Yaghi fitojnë Çmimin Nobel për Kiminë 2025 për punën mbi strukturat metal-organike, (MOF), një lloj “arkitekture molekulare” që mund të kapë gazra, përfshirë “Co2” dioksidin e karbonit, dhe të ruajë molekula brenda hapësirave mikroskopike, sipas AP
Ekspertët e krahasuan këtë zbulim me “çantën e magjishme të Hermionës!” në “Harry Potter”, e vogël nga jashtë por me hapësirë të madhe brenda.
“Strukturat metaliko-organike janë si skeleti i një shtëpie, me dhoma të padukshme që mund të mbajnë sasi të mëdha gazi,” shpjegoi Olof Ramström nga Komiteti Nobel për Kiminë.
Teknologjia ka potencial të madh për kapjen e CO₂, mbledhjen e ujit nga ajri i thatë dhe filtrimin e kimikateve të përhershme (PFAS) nga uji i pijshëm, substanca ndotëse që nuk shpërbëhen lehtë dhe kanë ndotur mjedisin globalisht.
“Këto struktura sjellin mundësi të reja për materiale me funksione të përshtatura sipas nevojave”, deklaroi Heiner Linke, kryetar i Komitetit Nobel për Kiminë.
Robson bashkëpunon me Universitetin e Melburnit në Australi, Kitagawa me Universitetin e Kyoto-së në Japoni, dhe Yaghi me Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Tre fituesit punuan në mënyrë të pavarur, por mbi bazën e punës së njëri-tjetrit që nga viti 1989.
Nga viti 1901 deri në 2024 janë dhënë 116 çmime për kiminë për 195 individë
Çmimi i vitit 2024 iu dha David Baker, biokimist në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, dhe Demis Hassabis dhe John Jumper, shkencëtarë kompjuterikë në “Google DeepMind”, një laborator britanik-amerikan për inteligjencë artificiale me bazë në Londër.
Puna e tyre përdori teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, dhe ka potencialin të transformojë mënyrën se si krijohen ilaçe dhe materiale të tjera të reja. /Ad.Ab./