E Diel, 1 Nëntor 2026

STRASBURG – Raporterët Stroe dhe Jablonski në vizitë informuese në Shqipëri nga 30 marsi deri më 1 prill

STRASBURG, 27 mars /ATSH-/ – Ionut-Marian Stroe (EPP/CD) dhe Pawel Jablonski (ECPA), bashkëraporterë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), do të bëjnë një vizitë informuese në Shqipëri nga 30 marsi deri më 1 prill, në kontekstin e dialogut, pas monitorimit me këtë vend, sipas https://pace.coe.int/.

Gjatë vizitës së tyre në Tiranë, ata do të diskutojnë zhvillimet e fundit politike dhe do të vlerësojnë progresin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të Asamblesë, siç përcaktohen në Rezolutën 2544 (2024).

Ata do të takohen me kryeministrin Rama, kryetarin e Parlamentit, Peleshi, ministrat e Punëve të Jashtme, Hoxha, të Drejtësisë, Gogu dhe të Brendshme, Lamallari si dhe Ministrin e Shtetit për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike, Pirdeni.

Janë planifikuar gjithashtu takime me komisione të ndryshme parlamentare, Komisionin parlamentar ad hoc për Reformën Zgjedhore, delegacionin shqiptar në PACE, krerët e grupeve parlamentare, si dhe me përfaqësues të autoriteteve gjyqësore, Zyrës së Avokatit të Popullit, bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias.

Asambleja Parlamentare vendosi të mbyllë procedurën e plotë të monitorimit në lidhje me Shqipërinë në prill 2024 dhe të angazhohet në një dialog pas monitorimit me vendin, një procedurë më pak intensive që përfshin një numër të kufizuar çështjesh të mbetura për t’u adresuar./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›