E Premte, 6 Nëntor 2026

Sa e rrezikon Veliaj-Ramën në zgjedhjet lokale? Analistët diskutojnë në “Të Paekspozuarit”

A mundet Veliaj t’i prishë punë Ramës në zgjedhjet lokale? Kjo ishte një tjetër pyetje që u diskutua në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit.

Të ftuar në studio, analistët Andi Tela, Andi Bushati, Dritan Hila, Flogert Muça dhe gazetarja Klodiana Lala dhanë mendimet e tyre.

Bushati, Tela, Lala dhe Hila ishin të një mendimi se Veliaj e rrezikon pak ose aspak Ramën në zgjedhjet lokale.

Ndërsa, sipas analistit Muça, Veliaj mund të ketë ndikim dhe këtë mund ta bëjë përmes të punësuarve në Bashkinë e Tiranës.

Reklamë

Pjesë nga biseda:

Rakipi: A mundet Veliaj t’i prishë punë Ramës në zgjedhjet lokale?

Tela: Në ato pikat e letrës, Veliaj ka thënë se nuk hedh gurë kundër PS-së. Por, nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se, sado fuqi të ketë Veliaj nga burgu, është e vështirë t’i ushtrojë dhe, përballë armës, është e pamundur. Më duket i pandikueshëm.

Muça: Nëse 12 mijë punonjës, drejtorët e përgjithshëm dhe i gjithë zinxhiri më poshtë bëjnë nepotizëm, Rama nuk e ka luksin sot, me gjithë këtë krizë që ka, të ketë edhe Veliajn, Bashkinë dhe administratën kundër.

Kjo është arsyeja pse ai thotë sot: “Lërja partisë Bashkinë, se ta dha partia Bashkinë, nuk e more si i pavarur”.

Në këtë kuptim, Rama ka një lloj legjitimiteti. Erioni e di që është moment i vështirë për Ramën dhe kërkon ta kapitalizojë. A i duhet sot Ramës perceptimi se ka përçarje në PS? Edhe vëllai i doli kundër.

Në kuptimin e numrave ka një risk, ndërsa në kuptimin e perceptimit ka një risk edhe më të madh. Edhe një rezultat shumë i ngushtë do të ishte një problem i madh.

Hila: 12 mijë janë shumë, por 12 mijë nuk janë ushtarë të Veliajt. Ushtarë të Veliajt janë drejtorët, por të gjithë ata janë me dosje në prokurori. Por a mund të ketë një bërthamë që mund t’i prishë punë Ramës? Po, patjetër.

Unë mendoj se Erioni do ta përdorë këtë deri në momentet e fundit. Nëse nuk bën kompromis, mendoj se do t’i bëjë gropën politikisht vetes. Nëse socialistët humbasin Bashkinë e Tiranës, Veliaj e ka të mbyllur karrierën politike.

Lala: Kur është arrestuar Veliaj, ma ke bërë këtë pyetje mua dhe Bushatit. Unë vij te Bushati, që thotë se jo, nuk e rrezikon Edi Ramën fare. I vetmi moment kur Veliaj mund të rrezikojë Ramën është nëse ka status bashkëpunëtori, gjë që është një mundësi e papërfillshme.

Bushati: Zero fare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›