Sadushi: Kodi i ri Penal të jetë instrument për drejtësi humane dhe restauruese

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Sot u prezantua drafti për Kodin e ri Penal. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi nevojën për një reformim të thellë të Kodit Penal, duke theksuar se legjislacioni aktual nuk i përgjigjet sfidave moderne të sistemit të drejtësisë.
Sadushi tha se Kodi i ri Penal duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore të panegociueshme për çdo sistem penal modern.
“Kodi aktual e ka përmbushur misionin e tij historik. Shqipëria ka ndryshuar dhe drejtësia ka evoluar. Nga ana tjetër edhe krimi është bërë më kompleks dhe përballë këtij realiteti nevojitet një Kod I ri që nuk riprodhon logjikën e djeshme, por parashikon sfidat e së nesërmes”, u shpreh Sadushi.
“Ai duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore të panegociueshme për çdo sistem penal modern, si qartësia normative dhe siguria juridike, humanizmi dhe risocializim i të dënuarve, dekriminalizimi i shkeljeve që nuk përmbajnë rrezik real, përputhja me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kodi Penal nuk është thjesht për juristët, por është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet ka gjasa të mos respektohet dhe nëse nuk zbatohet drejt nuk bëhet as drejtësi”, u shpreh Sadushi.
Sadushi gjithashtu bëri thirrje që Kodi i ri të mos jetë mjet për ndëshkim, por një instrument për drejtësi humane dhe restauruese. Sadushi nënvizoi që Kodi i ri duhet të shërbejë për parandalimin dhe jo vetëm për ndëshkimin.
“Gjykata e Lartë, në misionin e saj për të unifikuar praktikën gjyqësore, kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson. Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet. Sa më shumë largohet nga parimi “ultima ratio”, aq më pranë një sistemi ndëshkues pa humanizëm do gjendemi.
“Ndaj, le të shpresojmë për të pasur një Kod Penal që: shmang inflacionin penal dhe ruan koherencën strukturore; përdor gjuhë të thjeshtë dhe qartësisht të kuptueshme; shmang kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve të dënueshme moralisht apo etikisht, të cilat mund të zgjidhen përmes të drejtës administrative, civile ose mjeteve alternative; respekton ndarjen midis të drejtës materiale dhe asaj procedurale; shërben për parandalim dhe jo vetëm për ndëshkim, duke respektuar proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës ndëshkimore; priret nga humanizmi i së drejtës penale, duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativave të dënimit me burgim, mundësive për rehabilitim; dhe nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, pornjë drejtësi funksionale, humane dhe të drejtë”, tha Sadushi.
Në përfundim, Sadushi u shpreh se duhet “të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë që nuk frikëson, po edukon, që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë”.
“Në përmbyllje të fjalës time dëshiroj të theksoj se në këtë ditë prezantimi të një pune të gjatë dhe të rëndësishme, ka vend për vlerësim, por edhe për reflektim. Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim; është një premtim, që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme. Ndaj, mesazhi që dua të ndaj është i thjeshtë: Të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi, që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë, që nuk ngatërron, por qartëson, që nuk frikëson, por edukon, që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë.
“Prandaj, ky projekt nuk duhet parë si një produkt përfundimtar, por si një thirrje për reflektim të përbashkët, ku pas një konsultimi të thelluar institucional, vendas e ndërkombëtar, me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, pjesës akademike dhe shoqërisë civile, secili të japë kontribut për të pasur një Kod Penal të thjeshtë, të drejtë dhe funksional. Vetëm një Kod Penal i ndërtuar mbi parime të shëndosha, mbi qartësi, humanizëm dhe funksionalitet, mund të sjellë një drejtësi penale që i shërben shtetit të së drejtës dhe qytetarit. Le të jetë ky Kod i ri Penal një instrument, që jo vetëm ndëshkon krimin, por ndërton një rend juridik më të drejtë për të gjithë”, tha Sadushi.
/m.q/j.p/