E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadushi: Na duhen 110 gjyqtarë. Kreu i Gjykatës së Lartë kërkon masa më të forta sigurie në Gjykata

Drejtësia vuan për gjyqtarë. Këtë deklaratë e bëri kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në një përmbledhje të vitit 2025, bilanc i cili vuri në dukje se sistemit i duhen edhe 110 gjyqtarë.

“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë përballë 417 të parashikuar, çka domethënë sistemi funksionon me 73.6% të kapacitetit të tij. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga shkolla e magjistraturës parashikohet që të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, tha Sokol Sadushi.

Siguria në gjykata është një problem që duhet adresuar dhe mbetet ende pa një zgjidhje përfundimtare. Në kushtet kur në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit u vra gjykatësi Astrit Kalaja, teksa po merrte një vendim në emër të Republikës, kreu i Gjykatës së Lartë thotë se siguria meriton një vëmendje të posaçme.

“Ka një interesim të shtuar për masat e sigurisë nga ana e drejtorisë së Burgjeve dhe policisë, nga ana e ekzekutivit për sa i përket infrastrukturës, por nuk është efekti që ne prisnim. Kërkohet shumë më tepër angazhim me qëllim që të këtë masa shumë të forta dhe të rrepta sigurie”, tha Sadushi. 

Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh kritik për mënyrën e zbatimit të reformës në drejtësi, ndonëse ka qenë njëri prej hartuesve të saj.

Sokol Sadushi tregoi për mediat se njëlloj me vitet e shkuara problem serioz mbetet cilësia e dobët rekurseve duke mos kaluar testin e  pranueshmërisë rreth 60% e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›