E Diel, 1 Nëntor 2026

“Saga” e kanalizimeve të Tiranës/ Ministri Karakaçi pranon dështimin e projektit 61 mln euro: Punimet u bllokuan, kontrata u ndërpre në mes

Në Kuvend është zhvilluar një debat i fortë lidhur me projektin shumëvjeçar për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve të “Tiranës së Madhe”, një investim me vlerë rreth 61 milionë euro, i financuar nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë interpelancës me deputetin socialist Erion Braçe, pranoi se projekti është shoqëruar me probleme të rënda, vonesa shumëvjeçare dhe dështim të kontraktorit fillestar.

Vetë ministri e cilësoi historinë e këtij investimi si një “sagë”, duke pranuar se ritmi i punimeve “duhej dhe mund të kishte qenë më i shpejtë”.

Projekti që duhej të mbaronte prej vitesh

Sipas Karakaçit, projekti kishte nisur para vitit 2016 me një afat fillestar prej 36 muajsh dhe synonte ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, kolektorin kryesor nga “Pallati me Shigjeta” deri në impiant, si dhe kolektorin jugor nga Ura e Shkozës.

Por, në vend të përfundimit në kohë, punimet ngecën.

“Në korrik 2018 kontrata e punimeve u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor”, deklaroi ministri, duke renditur një seri problematikash: ritëm shumë i ulët i punimeve, mosrespektim i grafikut, mungesë kapacitetesh teknike, probleme sigurie dhe moszbatim të kërkesave të supervizorit.

Sipas të dhënave të bëra publike në Kuvend, deri në momentin e ndërprerjes së kontratës:

  • vetëm 50% e impiantit ishte realizuar;
  • 50% e kolektorit kryesor ishte ndërtuar;
  • ndërsa punimet elektromekanike kishin avancuar vetëm 1%.

“Dështim i madh”, ministri fajëson kontraktorin dhe procedurat e donatorit

Në pjesën më të fortë të debatit, Karakaçi tha se përgjegjësia kryesore lidhet me kompaninë e përzgjedhur për zbatimin e projektit.

“Dështimi i këtij projekti është dëm i madh për shtetin shqiptar”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se edhe vetë procedurat e donatorit japonez sollën përzgjedhjen e një kontraktori që “dështoi në realizimin e tij”.

Ministri deklaroi se pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2018, projekti mbeti praktikisht në vendnumëro për vite me radhë, ndërsa kontrata e supervizionit përfundoi në vitin 2019.

Sipas tij, vetëm në vitin 2023 u arrit të shtyhej afati i disbursimit të huasë deri në tetor 2026 dhe të niste procesi për rishikimin teknik të projektit.

Qeveria premton rifillimin e punimeve

Karakaçi deklaroi se aktualisht konsulenti teknik ka përfunduar azhornimin e projektit dhe po përgatiten dokumentet e tenderit për përzgjedhjen e një kompanie të re që do të përmbyllë punimet.

“Sot projekti ndodhet në një fazë konkrete implementimi”, tha ministri, duke garantuar se strukturat shtetërore po punojnë në koordinim me palën japoneze për rifillimin e investimit.

Ai theksoi se impianti konsiderohet prioritet kombëtar për shkak të ndikimit në trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmbushjen e standardeve europiane.

Debati për ndotjen dhe detyrimet e bizneseve

Gjatë diskutimeve në Kuvend, ministri foli edhe për aktin normativ nr.8, që detyron subjektet ekonomike dhe hotelet të instalojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura me shpenzimet e tyre.

Karakaçi pranoi se masa është kundërshtuar nga shumë biznese, por deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet.

“Hotelet që kanë ndërtuar mbi territor kanë detyrimin të implementojnë impiant trajtimi të ujërave të ndotura, pavarësisht dëshirës apo mosdëshirës së tyre”, u shpreh ai.

Strategji e re për “Tiranën e Madhe”

Ministri bëri të ditur se paralelisht po punohet edhe për një strategji të integruar të menaxhimit të ujërave të shiut dhe kanalizimeve për Tiranën, Kamzën dhe Vorën, me financim nga qeveria zvicerane.

Sipas tij, ky projekt do të shërbejë si bazë për një masterplan të ri kombëtar të kanalizimeve dhe menaxhimit urban të ujërave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›