E Martë, 3 Nëntor 2026

Sako: Rehabilitohen 12 500 m2 sipërfaqe e fasadave të pallateve në lagjen nr. 1 Durrës

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrës është rehabilituar një sipërfaqe prej 12 500 m2 e fasadave të pallateve ekzistuese.

Lajmin e ka ndarë kryetarja e bashkisë së qytetit bregdetar, Emirana Sako, e cila tha se ka përfunduar rikonstruksioni i disa pallateve në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit, siç është shëtitorja “Taulantia”.

Sako tha se “ky investim synon jo vetëm përmirësimin e imazhit të zonës, por edhe rritjen e qëndrueshmërisë të godinave përballë kushteve atmosferike”.

“Durrësi po ndryshon çdo ditë, më i bukur, më funksional dhe më i denjë për qytetarët e tij”, u shpreh Sako.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako është shprehur më herët “se po punohet edhe për zgjerimin e brezit të rërës duke krijuar më shumë hapësirë në dispozicion të pushuesve. Në këtë fazë përfshihet edhe rehabilitimi i fasadave të 41 godinave që ndodhen përgjatë shëtitores, me elementë termoizolues për të rritur eficiencën e energjisë si edhe qëndrueshmërinë e objekteve për një periudhë afatgjatë, duke përmirësuar edhe imazhin e të gjithë kësaj zone bregdetare”.

Ky investim përfshin realizimin e një shëtitoreje prej tre kilometrash përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme nga Ura e Dajlanit drejt Konvaleshencës.

Midis shëtitores dhe zonës së plazhit do të ngrihen stacione me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore.

Projekti investues parashikon që përgjatë shëtitores do të ketë dhe zona të dedikuara për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, si dhe rikonstruksionin e fasadave të godinave.

Nga fasadat e pallateve ekzistuese të rikonstruktuara në lajen nr.1 Durrës 1 nga 3

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›