E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sako: Të dy hidrovoret e Porto Romanos në punë me kapacitet maksimal

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi se të dy hidrovoret e Porto Romanos, i riu dhe i vjetri, po punojnë me kapacitete maksimale.

Në një reagim për mediet, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Sako tha se nëse hidrovoret nuk do të punonin situata do të ishte më e keqe.

“Shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe akuza nga opozita nëse punojnë apo jo hidrovoret në Durrës, madje deri nëse a ka apo jo hidrovor qyteti, situata e këtyre ditëve të vështira për të gjithë, do të ishte shumë herë më e keqe në rast të mosfunksionimit të tyre. Të dy hidrovoret e Porto Romanos, i riu dhe i vjetri, po punojnë me kapacitete maksimale”, tha Sako.

Drejtori i Ndërmarrjes Rruga, Alion Hysko, që ka në administrim hidrovoret e Porto Romanos, thekson se “hidrovori i ri ka qenë në gatishmëri që nga dita e parë e shirave. Ka 9 pompa në punë dhe nxjerrë 40-50 m3 ujë për sekondë. Përpara reshjeve niveli i kanalit që sjell prurjet në hidrovior ka qenë me 2,6 m, me rënien e reshjeve niveli shkoi në 6,5 m lartësi, që do të thotë prurjet dhe intensiteti ka qenë shumë i lartë”.

Reshjet masive të këtyre ditëve në Durrës kanë shkaktuar dëme në banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturë. Ndërkohë që dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë dalë prej dy ditësh në protestë përpara bashkisë së Durrësit ku kanë kërkuar që të merren masa konkrete për të përmirësuar situatën në qytetin bregdetar.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›