Sala me homologen austriake: Marrëveshje e re bashkëpunimi në shëndetësi deri në 2030-ën

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Në vijim të vizitës zyrtare në Vjenë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi një takim me homologen austriake, ministren federale për Punën, Çështjet Sociale, Shëndetësinë, Kujdesin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Austrisë, Korinna Schumann.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi fusha të mundshme për bashkëpunim, përfshirë hartimin e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi në shëndetësi për periudhën 2026-2030, si dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore, me investime strategjike në shërbimet e urgjencës mjekësore, teknologji të avancuar mjekësore dhe reformën e sistemit spitalor.
Në një njoftim për mediet, MShMS bëri të ditur se mbetet e angazhuar për të thelluar më tej partneritetin me Austrinë, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, ministrja Sala zhvilloi ditën e djeshme një takim në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.
Sipas MShMS, në partneritet me Agjencinë, po investohet te njerëzit dhe tek inovacioni i sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur standarde për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore.
/e.i/j.p/r.e/