Sala takime në Itali: Bashkëpunim strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka zhvilluar takime në Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano, ku është diskutuar forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e onkologjisë.
Përmes një postimi në platformën X, ministrja Sala bëri të ditur se, së bashku me presidentin e institutit, Gustavo Galmozzi, është diskutuar bashkëpunimi konkret për mbështetjen e ngritjes së Institutit të Tumoreve në Shqipëri.
“Diskutuam bashkëpunimin konkret për mbështetjen e ngritjes së Institutit të Tumoreve në Shqipëri si një qendër për ndërtimin e kapaciteteve, trajtimin multidisiplinar të kancerit, kërkimin shkencor dhe hartimin e politikave onkologjike të bazuara në evidenca”, shkruan Sala.
Sipas ministres Sala, ky partneritet përfaqëson një bashkëpunim strategjik të përafruar me standardet europiane, me fokus forcimin institucional dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit të kontrollit të kancerit në vend.
/rtsh.al/