Salla: Akses më i gjerë i fermerëve në Skemën Kombëtare 2026

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Skema Kombëtare 2026 do të hartohet për të garantuar që çdo fermer me NIPT, si dhe fermerët e organizuar në grupe, të kenë akses sa më të gjerë dhe më të drejtë në mbështetjen direkte.
Kështu bëri të ditur ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Andis Salla, i cili zhvilloi një dëgjesë me fermerët e bashkisë Pogradec, si pjesë e procesit të bashkëhartimit të Skemës Kombëtare 2026, për ta ndërtuar atë mbi nevojat reale të terrenit.
Salla theksoi se fokusi është “rritja e standardeve të prodhimit Made in Albania, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian në mënyrë që konsumatorët shqiptarë të kenë cilësi evropiane në tryezë e po ashtu fermerët të mbështeten ashtu si në BE, dhe produktet vendase të zgjerojnë hartën e eksporteve, duke e bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese në tregjet rajonale dhe evropiane.
Skema 2026 do të ketë një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ose 16% më të lartë krahasuar me një vit më parë.
Turi i dëgjesave me fermerët do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, duke synuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve bujqësore në hartimin e Skemës Kombëtare 2026.
/m.q/j.p/