Salla: Bashkëpunim ndërkombëtar për avancimin e bujqësisë digjitale

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Përparimi i reformave në sektorin agro-ushqimor dhe përafrimi i tyre me standardet e Bashkimit Evropian ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Tiranë ndërmjet ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe përfaqësuesve të donatorëve të huaj, Delegacionit të Bashkimit Evropian, Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO).
Gjatë takimit, ministri Salla theksoi rëndësinë e ndërtimit të sistemeve funksionale që synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit në bujqësi, si dhe zbatimin e politikave të orientuara drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) të Bashkimit Evropian.
Ministri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e bujqësisë digjitale, forcimin e shërbimeve këshillimore për fermerët, garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e sistemeve bujqësore të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Nga ana e tyre, donatorët theksuan se synimi kryesor mbetet përkthimi i prioriteteve të reformave në rezultate konkrete për fermerët dhe komunitetet rurale, duke kontribuar në ndërtimin e një sektori agroushqimor modern, efikas dhe të qëndrueshëm.
Ky angazhim vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin rural, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian për integrimin e sektorit bujqësor shqiptar në standardet evropiane.
1 nga 2/e.xh/r.e/a.f/