E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla: Cilësia shqiptare e vajit të ullirit rrit prezencën në tregjet e BE-së


TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Shqipëria po shënon nivele të larta të prodhimit të vajit të ullirit, pasi fermerët kanë shtuar sipërfaqe e mbjella dhe kanë rritur investimet në teknologjinë e shërbimeve të ullirit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi fabrikën “Musai Olive Oil” në Vlorë, një prej kapaciteteve më të njohura të përpunimit të vajit të ullirit në vend, e cila njihet për cilësinë dhe prezencën e saj në tregjet europiane.

Gjatë inspektimit, ministri Salla u njoh me proceset e përpunimit dhe teknologjitë moderne që përdoren në fabrikë, të cilat garantojnë prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër nga ullinjtë autoktonë të zonës së Vlorës. Ai vlerësoi bashkëpunimin e gjerë me rrjetin e fermerëve të rajonit dhe rolin e kësaj industrie në rritjen e ekonomisë lokale.

Salla theksoi se produktet shqiptare të markës “Made in Albania” po fitojnë një pozicion gjithnjë e më të fortë në tregjet e BE-së, falë standardeve të larta të sigurisë ushqimore dhe investimeve të vazhdueshme në teknologji.

Me një rrjet të gjerë fermerësh lokalë, kjo kompani siguron lëndën e parë, duke përkrahur ekonominë vendase dhe rritur vlerën e produktit. Kompania ofron mundësi punësimi me paga konkurruese dhe kushte cilësore.

Pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare të vajit të ullirit shkon drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tregjeve evropiane, pjesa tjetër në vendet fqinje si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›