Salla: Pa ndërprerje puna për stabilizimin e argjinaturave të dëmtuara nga shirat

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me bashkinë e Fierit, po vijojnë punën për stabilizimin e argjinaturave të dëmtuara nga reshjet intensive të shiut, që prekën zonën javën e kaluar.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau pamje nga puna e strukturave në terren për forcimin dhe rehabilitimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga reshjet.
Salla thekson se puna vijon pa ndërprerje për stabilizimin e argjinaturës së dëmtuar nga reshjet intensive. “Po shkon drejt përfundimit ndërhyrja në çarjen e parë në fshatin Hasturkas, ndërsa paralelisht vijojnë punimet edhe në zonën “Kasollja e patave” për rehabilitimin e plotë të dëmtimeve”, bën të ditur ministri.
Ai shton se ndërhyrja do të realizohet në çdo argjinaturë të dëmtuar, për të garantuar mbrojtjen e tokës bujqësore dhe sigurinë e komuniteteve.
/a.f/r.e/