Samiti digjital në Berlin: Merz kërkon sovranitet më të madh digjital

Kancelari Friedrich Merz ka bërë thirrje për më shumë vrull në Gjermani dhe Evropë në garën ndërkombëtare për inteligjencën artificiale. "Në Gjermani dhe Evropë, ne mundemi - dhe besoj se duhet - të bëhemi shumë më të shpejtë dhe më efektivë në zhvillimin e teknologjive digjitale dhe vënien e tyre në përdorim praktik," deklaroi Merz gjatë samitit digjital të organizuar nga qeveria federale në Berlin. "Ne duhet, dhe duam të bëhemi liderë."
Ai njoftoi një strategji me dy drejtime: në plan afatshkurtër, fokusi do të jetë në nxitjen e zhvillimit të modeleve të IA-së të përshtatshme për përdorim industrial, duke siguruar kështu konkurrueshmërinë e bizneseve.
Njëkohësisht, do të intensifikohen kërkimet mbi modelet e ardhshme të IA-së - për shembull, në fushën e inteligjencës artificiale fizike.
Objektivi: të reduktohet varësia nga SHBA-ja
Qëllimi është të reduktohet varësia teknologjike – nga gjigantët e teknologjisë në SHBA dhe Kinë. Për këtë qëllim, Merz po mbështetet në bashkëpunimin ndërkombëtar, për shembull me Francën dhe Kanadanë, për të ndarë njohuritë dhe për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit.
Së pari, qeveria dëshiron të nxisë inteligjencën artificiale industriale – domethënë, aplikimin e saj në biznese dhe fabrika. Inteligjenca artificiale do të transformojë thelbësisht botën e punës dhe do të përmirësojë produktivitetin, tha Merz-i. Megjithëse ekzistojnë rreziqe, shtoi ai, ne nuk duhet t'u qasemi atyre me frikë. "Nëse e refuzojmë këtë teknologji, rënia është e pashmangshme."
Ai gjithashtu paralajmëroi, megjithatë, se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të udhëhiqet nga vlerat njerëzore. Prandaj, Merz bëri thirrje për një politikë teknologjike që duhet të zbatohet "në përputhje me vlerat dhe interesat tona të sigurisë".
Grupi i punës prezanton planin për "Komb i IA 2030"
Në konferencën dyditore, përfaqësues të qeverisë, ekspertë dhe sipërmarrës të teknologjisë nga vende të ndryshme po diskutojnë për mundësitë, rreziqet dhe implikimet e inteligjencës artificiale. Qeveria federale pret që një vit e gjysmë i ardhshëm të përcaktojë nëse Gjermania mund të mbajë ritmin në garën ndërkombëtare të inteligjencës artificiale.
Për këtë arsye, në verë, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Qeverisë Federale u krijua një grup pune për inteligjencën artificiale, e udhëhequr nga Ministria për Çështjet Digjitale. Dokumenti i saj përcakton objektivin për ta bërë Gjermaninë një "Komb të Inteligjencës Artificiale" deri në vitin 2030, dhe janë vendosur shumë objektiva për t'u siguruar që Gjermania të jetë një nga lideret.
Për shembull, deri në vitin 2030 të paktën 80 për qind e ndërmarrjeve të mëdha dhe 55 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet të përdorin inteligjencën artificiale; numri i start-up-eve të inteligjencës artificiale pritet të trefishohet; dhe pjesa e prodhimit ekonomik të gjeneruar nga inteligjenca artificiale duhet të tejkalojë dhjetë për qind.
"Dritarja e mundësisë për të mbyllur hendekun po mbyllet"
Megjithatë, sipas ekspertëve, koha po mbaron: "pavarësisht një pozicioni të fortë fillestar, veçanërisht në kërkim", Gjermania rrezikon të gjendet në një situatë ku hendeku me qendrat kryesore të inteligjencës artificiale – SHBA-në dhe Kinën – po zgjerohet vazhdimisht.
"Dritarja e mundësisë për të ngushtuar këtë hendek po mbyllet së shpejti," thuhet në raportin përfundimtar të grupit të punës për Inteligjencën Artificiale, i cili u prezantua në Samitin digjital. Dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë në përcaktimin e kursit për të ardhmen.
aud(tgsch)