E Martë, 3 Nëntor 2026

Samiti i Komunitetit Politik në Tiranë, Frederiksen: Riarmatimi i Evropës, prioritet numër një

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, vend që pas Tiranës do të mirëpresë Samitin e ardhshëm, i cili pritet të mbahet në vjeshtën e këtij viti, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, tha se çështje parësore sot është siguria dhe riarmatimi i Evropës.

Frederiksen theksoi se Rusia sot është një kërcënim i madh jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë kontinentin.

“Vërtetë ka qenë një mikpritje shumë e ngrohtë këtu në Shqipëri sot. Mendoj se ky forum është shumë i rëndësishëm për arsye se Evropa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky lloj formati, ku në këtë rast kemi shtete që nuk janë ende anëtare, por edhe shtete anëtare të BE-së, që ulen në tryezën e rrumbullakët dhe diskutojnë çështje të rëndësishme. Ju folët për disa nga këto tematika. Ne jemi të gatshëm tashmë të marrim stafetën dhe dëshiroj të theksoj se siguria do të jetë çështja jonë kryesore, përparësi, pasi jetojmë në një botë shumë të pasigurt sot. Rusia është një kërcënim i madh jo vetëm për sa i përket Ukrainës, por edhe të gjithëve ne, për shkak të sulmeve kibernetike, keqinformimi, dezinformimit dhe ato po përpiqen të shkatërrojnë demokracitë tona. Prandaj riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioriteti numër një”, tha Frederiksen.

Kryeministrja e Danimarkës shtoi se “ne në rast se nuk jemi të gatshëm të mbrojmë njëri-tjetrin, si mund të ndihmojmë të tjerët? Pra çështja numër 1 është siguria dhe kjo vlen edhe për Ukrainën. Ata janë angazhuar për një armëpushim 30-ditor pa kushte, por nuk kemi sinjale ende nga Rusia kështu që duhet të nxisim Rusinë duke shtuar sanksione për t’i dhënë fund luftës. Siguria çështja numër një”.

Frederiksen theksoi më tej se Evropa duhet të fokusohet tek energjia e gjelbër.

“Ne jemi një treg vërtet i madh, prandaj konkurrueshmëria e firmave tona është shumë e rëndësishme, dhe dua ta lidh këtë edhe me tranzicionin e gjelbër. Ne duhet t’i japim fund karburantit, por gjithashtu dhe gazit dhe hidrokarbureve të naftës nga Rusia. Ne duhet të jemi konkurrentë dhe klientët në gjithë Evropën të kenë energji me kosto të ulët dhe të gjelbër”, u shpreh kryeministrja e Danimarkës.

Kryeministrja e Danimarkës shtoi se tjetër temë që u diskutua është migracioni.

“Temë tjetër me përparësi është migracioni përfshirë edhe vendin tim. Në pjesën tonë të Evropës do të thoja se migracioni pothuajse ka qenë i pakontrolluar dhe pasojat kanë qenë të panumërta prandaj do të doja të theksoja këto çështje kryesore. Unë them se ju keni bërë një punë vërtet shumë të mirë, Samiti ka qenë shumë i mirë dhe jemi gati për të marrë stafetën”, tha Frederiksen.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›