E Diel, 1 Nëntor 2026

Saro: Match Maker Albania hap rrugën për projekte konkrete investimesh në Shqipëri

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro theksoi rëndësinë e “Match Maker Albania” si një platformë kyçe për investime strategjike dhe zhvillimin e partneriteteve në Shqipëri.

Në një intervistë për media, Saro tha se vendi po bëhet një destinacion strategjik për investitorët ndërkombëtarë, me mundësi të shumta në sektorët e energjisë, teknologjisë, bujqësisë inteligjente dhe turizmit.

Ajo vuri në dukje se platforma nuk është vetëm një forum diskutimi, por një hapësirë ku investitorët mund të angazhojnë bizneset shqiptare për të krijuar partneritete konkrete dhe për të realizuar projekte të suksesshme.

Edicioni i dytë i “Match Maker Albania”, që do të zhvillohet më 26 mars në Pallatin e Kongreseve, pritet të mbledhë përfaqësues nga më shumë se 30 vende të botës dhe kompani shqiptare e të huaja.

Ky forum synon të promovojë investime konkrete dhe të përshpejtojë bashkëpunimin midis bizneseve dhe investitorëve globalë. AIDA do të ofrojë mbështetje të plotë për investitorët, duke i ndihmuar ata të identifikojnë partnerët strategjikë dhe të përshpejtojnë çdo hap të procesit të investimit.

Përveç kësaj, agjencia prezanton platforma digjitale të reja për të rritur komunikimin dhe koordinimin midis bizneseve dhe investitorëve, duke garantuar efikasitet dhe transparencë në çdo fazë.

Ky aktivitet pritet të shërbejë si një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe projekteve strategjike, që mund të çojë në nënshkrimin e memorandumeve të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke rritur investimet në sektorët kryesorë.

“Ne duam që çdo investitor që vjen në Shqipëri të gjejë projekte të plota dhe t’i realizojë me sukses”, u shpreh Saro.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›