Sefa: Kallëzim penal kompanive që po kryejnë rehabilitimin e rezervuarit të Kasharajt

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Bashkia Lushnjë pas verifikimit paraprak të informacioneve lidhur me situatën në rezervuarin e Kasharajt vendosi të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë.
Kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se hapat e marrë nga bashkia kanë për qëllim zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe evidentimin e personit/personave që shkaktuan problematikën serioze të ngordhjes së peshqve në këtë rezervuar.
Sipas saj, bashkia Lushnjë kallëzoi penalisht pranë Prokurorisë Fier, bashkimin e kompanive që kanë fituar të drejtën për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit në rezervuarin e Kasharajt.
Kryebashkiakja Sefa sqaroi se kallëzimi penal u bë pasi gjatë punës për rikonstruksionin e digës së dëmtuar të rezervuarit, firma që po kryen këto punime nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të faunës dhe të mjedisit në këtë ujëmbledhës.
Në bazë të kontratës, pas ndërprerjes së punimeve ( kërkuar nga vetë firma) në 9 shkurt të këtij viti, bashkimi i dy kompanive që po rehabilitojnë digën e rezervuarit, duhet të kishte njoftuar institucionet publike dhe veçanërisht bashkinë Lushnjë për rinisjen e punimeve në shtator, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Bashkia Lushnjë mirëkupton sensibilitetin publik të ngjarjes dhe shpreson që organet ligjore ta zbardhin atë sa më shpejt të jetë e mundur.
/k.s./j.p/