Seferi: Nga 1 janari abone falas për 177 mijë pensionistë, regjistrimi me karta identiteti

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi ka folur sot për mënyrën si do të funksionojë skema për marrjen e aboneve falas për pensionistët.
Ai tha se janë 177 mijë pensionistë të cilët do të kenë mundësinë që nga 1 janari i 2025-ës të pajisen me abone falas për transportin publik. Pensionistët të cilët do të duan të pajisen me abonenë falas, do të duhet që fillimisht të paraqiten pranë njësive administrative për të çekuar kartën ID dhe përmes sistemit bëhet regjistrimin i personave që lëvizin me transportin publik.
“Kemi plot një muaj për të punuar. Është platformë që po përgatitet. Duhet të paraqiten pranë njësive administrative ku do çekojnë kartën ID dhe ato përmes sistemit bëjnë regjistrimin e atij që lëviz. Nga 177 mijë, nuk lëvizin të gjithë dhe nuk mund të emetohen bileta për këto. Kush ka nevojë që lëviz me transport publik, shkon te njësia, çekon numrin e kartës ID dhe shkon tërheq abonenë. Po bëjmë minimumin e procedurave që të jemi sa më pranë dhe të ketë sa më pak teknikalitete”, u shpreh Seferi.
Nënkryetari i bashkisë theksoi se transporti publik në kryeqytet po kalon revolucion të plotë.
“Pjesa e transportit publik nuk është thjesht vendim i segmentuar, por proces që nga 2015-ta e deri sot. Janë 177 980 pensionistë që do të përfitojnë. Kemi 14% të të moshuarve që lëvizin me transportin publik, për të moshuarat mbi 60 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. Transporti publik në Tiranë po kalon revolucion të plotë. Gjithmonë e më tepër të kanalizojmë dhe klasifikojmë prioritar transportin publik. Në një ditë në urbanët e Tiranës ka rreth 200 mijë lëvizje”, shtoi ai.
/a.f/r.e/