E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sejko: Inflacioni, rritje të lehtë gjatë muajve të verës

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se inflacioni në vend ka shënuar një rritje të lehtë gjatë muajve të verës, duke arritur në 2.4% në muajt korrik dhe gusht nga 2.3% në tremujorin e dytë të vitit.

Rritja u ndikua kryesisht nga çmimet e qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës, ndërsa çmimet e ushqimeve kanë vijuar të bien dhe mallrat e tjera kanë mbetur të qëndrueshme.

Sipas Guvernatorit Sejko, ecuria aktuale e inflacionit pasqyron një rritje të lehtë të presioneve të brendshme, të nxitura nga kërkesa e lartë për mallra dhe shërbime, si dhe nga rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit. Në të kundërt, presionet nga mjedisi i jashtëm mbeten të ulëta për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit të Lekut.

“Këta faktorë kanë mbajtur inflacionin e importuar në nivele historikisht të ulëta, duke ndikuar që inflacioni të mbetet poshtë objektivit tonë prej 3%,” tha Sejko.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas skenarit bazë, ky rikthim do të vijë si rezultat i një rritjeje graduale të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme pritet të mbeten të qëndrueshme.

Në lidhje me rreziqet e mundshme për ecurinë e inflacionit, Guvernatori theksoi se balanca e tyre mbetet neutrale në afatin e mesëm. Nga njëra anë, rritja e tensioneve gjeopolitike apo fragmentarizimi i mëtejshëm i tregtisë globale mund ta çojnë inflacionin përtej parashikimeve. Nga ana tjetër, ngadalësimi i ekonomive partnere ose rënia më e thellë e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare mund të ushtronte presione në drejtim të uljes së inflacionit.

Guvernatori deklaroi se inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme. e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›