E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejko me ambasadorin e Sllovenisë: Më 7 tetor, qytetarët dhe bizneset do të kryejnë pagesa më të shpejta dhe të lira

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Jakob Štunf.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare. Ai u shpreh se aktiviteti ekonomik në vend është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta me kushte financimi akomoduese.

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Gjithashtu, në njohje të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit, Shqipëria ka përfituar tre ulje të rëndësishme të rrezikut të borxhit nga agjencitë prestigjioze Moody’s dhe Standard and Poors. Ky zhvillim ul kostot e financimit në tregjet ndërkombëtare, por është dhe dëshmi e besimit në rritje që investitorët e huaj kanë në perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

Guvernatori Sejko gjithashtu u ndal në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe zhvillimin e pagesave elektronike, të cilat sjellin përfitime për qytetarët dhe bizneset, falë uljes së kostove të transaksioneve. Ky proces u kurorëzua me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA dhe me pranimin e bankave vendase në këtë hapësirë pagesash evropiane, si një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian; duke filluar nga 7 tetori 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa më të shpejta dhe më të lira me të gjitha vendet anëtare të SEPA-s.

Ambasadori Štunf, vlerësoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është një arritje e çmuar në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, Ambasadori Štunf dhe Guvernatori Sejko theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit midis vendeve, duke shkëmbyer përvojat, në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe shprehën vullnetin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve të huaja respektive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›