Sekuestrohen 12 tonë kokainë në Spanjë, dyshohet se i përket grupit kriminal shqiptar, droga me vlerë 180 milionë euro

Policia spanjolle ka sekuestruar 12 tonë kokainë në dy kapanone industriale në qytetin Aguilas të Spanjës. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar ndonjëherë në rajonin e Murcias.
Sipas medias spanjolle “El Espanol”, hetuesit dyshojnë se droga i përket një organizate kriminale shqiptaro-kosovare, e cila dyshohet se përdorte kapanonet në zonën industriale El Labradorcico si baza për magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Policia zbuloi kapanonin e parë të premten e kaluar, pas njoftimit të disa punëtorëve. Ata kishin vënë re se një ambient industrial ishte lënë i hapur dhe një pirun ngritës kishte mbetur i ndezur. Drejtuesi i mjetit ishte larguar me shpejtësi pasi disa paleta me ngarkesë kishin rënë gjatë shkarkimit.
Fillimisht, policia mendoi se bëhej fjalë për një aksident në punë. Por pas kontrollit u zbulua se paletat përmbanin pako me kokainë, të përgatitura për transport me kamionë.
Reklamë
Kontrollet vijuan edhe në një kapanon të dytë, ku u gjet pjesa tjetër e drogës. Sipas hetuesve, mënyra e transportit tregon se organizata mund ta shpërndante kokainën me kamionë drejt qyteteve të ndryshme të Spanjës dhe vendeve të tjera të Evropës.
Droga kap vlerën e 180 milionë eurove
Sipas raportimeve, kokaina e sekuestruar kishte pastërti të lartë. Vlera e saj në tregun e paligjshëm përllogaritet në rreth 180 milionë euro, me një çmim prej afërsisht 15 mijë eurosh për kilogram.
Ky është sekuestrimi më i madh i kokainës i regjistruar ndonjëherë në rajonin e Murcias. Megjithatë, ai nuk e kalon rekordin kombëtar të Guardia Civil, që është 30.2 tonë kokainë, e sekuestruar në maj të këtij viti në një operacion pranë Ishujve Kanarie.
Njësia për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Drogës (EDOA), së bashku me Policinë Gjyqësore, po vijojnë hetimet për identifikimin e anëtarëve të organizatës.
Deri më tani, si person nën hetim figuron vetëm një shtetas maroken. Autoritetet kanë identifikuar edhe pronarët e dy kapanoneve, të cilat ishin dhënë me qira për biznesmenë të ndryshëm. Sipas burimeve hetimore, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna se pronarët e ambienteve e dinin për çfarë përdoreshin ato.
Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë brenda kapanoneve dhe në zonën industriale, me qëllim identifikimin e personave që kanë transportuar dhe magazinuar drogën.
Hetuesit kanë konstatuar lëvizje të shpeshta kamionësh në të dy ambientet, çka përforcon dyshimet se organizata përdorte një rrjet transporti për shpërndarjen e kokainës në Spanjë dhe në vende të tjera evropiane.