E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia vendimtare për Sylvinhon, dueli i të shtunës përcakton edhe të ardhmen e tij te Shqipëria

Shqipëria vijon sot përgatitjet për sfidën vendimtare të kualifikuesve të Botërorit ndaj Serbisë më 11 tetor.

Përballja në Leskovac është vendimtare për të provuar kapjen e vendit të dytë që të çon në play-off-et e kualifikimit të mundshëm në Kupën e Botës së vitit 2026.

Kuqezinjtë, vetëm fitorja i afron ndjeshëm me vendin e dytë, pasi do të krijonin një distancë sigurie +4 pikë në raport me Serbinë. Barazimi do ta linte gjithçka të hapur deri në fund, por me rrezik të madh për kuqezinjtë, pasi Serbia ka një ndeshje më pak në grup.

Silvinjo ka edhe pak ditë në dispozicion për të përgatitur atë që mund të konsiderohet pa diskutim udhëkryqi i karrierës për trajnerin brazilian.

Kontrata me Shqipërinë i përfundon në fund të eliminatoreve, pra në muajin nëntor, ndaj gjithçka do të varet nga klasifikimi i grupit.

Në rast se Shqipëria renditet e dyta, detyrimisht Silvinjo do të vazhdojë të udhëheqë përfaqësuesen të paktën deri në pranverën e vitit të ardhshëm, kur do të zhvillohen edhe sfidat e fazës play-off që të çojnë në Botëror.

Në rast dështimi, divorci është i paevitueshëm.

Vetë trajneri largoi presionin dhe nuk kërkoi të shfokusojë vëmendjen nga përgatitja e ndeshjes duke anashkaluar në konferencën e fundit pyetjen mbi të ardhmen e tij.

Sa i takon gjendjes së skuadrës, ndryshe nga e hëna që ishte dita e parë e grumbullimit, sot kuqezinjtë do të jenë të plotë, pasi në seancë bashkohen edhe emra si Hoxha, Balliu, Asani e Mihaj, që mbërritën me pak vonesë në grumbullim.

Tanimë me organikë të plotë, Silvinjo dhe ndihmësit e tij do të fokusohen te formacioni dhe aspekti tekniko-taktik. Serbia është një kundërshtar që tashmë e njohim pas barazimit pak muaj më parë në Tiranë.

Me interes është të shihet se çfarë do të ndryshojë Silvinjo në raport me duelin e parë.

Fillimisht, numri një i stolit do të shohë nga afër gjendjen sportive të secilit futbollist për të përcaktuar më pas të besuarit e formacionit kryesor.

Megjithatë, duke pasur tashmë eksperiencë të konsiderueshme me Shqipërinë, ajo që i njihet si detaj punës së trajnerit është se Silvinjo është fanatik i skemave dhe i emrave, ndaj edhe shpesh trajneri është i lexueshëm kur vjen puna te 11-tëshja e parë.

Përballja ndaj Serbisë do të luhet të shtunën në orën 20:45 në Leskovac, stadium i vogël ku 20% e tribunave do të jenë të mbyllura, pasi federata serbe u dënua për incidentet e përsëritura me Andorrën dhe pastaj me Anglinë në shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›