Sezoni veror në Velipojë, kontrolle për ndotjen akustike

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Policia e Shkodrës vijon kontrollet në terren për kontrollin e nivelit të zhurmave në zonën turistike të Velipojës.
Në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit turistik, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë ka vijuar me kontrollet për ndotjen akustike, sipas planit të masave për sigurinë gjatë sezonit veror. Kontrollet u fokusuan në subjektet që gjenerojnë zhurma nga muzika, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga turistët. Policia njoftoi se janë kryer matje të nivelit të zhurmës me pajisje të posaçme në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në zona të ndryshme të Velipojës. Rezultatet e matjeve kanë dalë brenda kufijve të lejuar ligjorë, sipas standardeve dhe procedurave të përcaktuara. Gjatë kontrolleve është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, që është nga ora 11:00 deri në orën 24:00, në zona dhe qendra të banuara. Policia e Shkodrës mbetet e angazhuar për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, si për banorët ashtu edhe për pushuesit vendas dhe të huaj.